Friday, August 29, 2014

Ballkani drejt BE-së, por pa korrupsion

Gruaja më e fuqishme e botës, Angela Merkel, i ka mbledhur në Berlin shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit për t’u treguar se Evropa është e hapur për shtetet e tyre, por se ata duhet paraprakisht ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Merkel u ka folur atyre si të ishte qytetare e shteteve respektive. Ka thënë se qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë mërzitur me korrupsionin dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë.
“Keqmenaxhimi, kriminaliteti i organizuar dhe ekonomia informale është në të gjitha vendet një problem i vazhdueshëm, po ashtu edhe niveli i lartë i papunësisë së të rinjve”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk do të flasë për historinë edhe pse është historian për nga profesioni.
“Nuk dua të flas shumë as për të kaluarën e popujve të Ballkanit Perëndimor, sepse të gjithë e dimë se sa e dhimbshme dhe e hidhur ka qenë ajo. Tani është momenti që të flasim për të sotmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët, e cila varet në tërësi nga realizimi i vizionit dhe objektivit tonë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, pjesë e BE-së dhe NATO-s”, ka thënë ai. /Tribuna/

No comments:

Post a Comment